|
Willy Kamsi
«Hylli i Dritës»ka qenë e para revistë e botueme në Shqipní, me nji program të kjartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bâ shprehja mâ e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçes Françeskane në Shqipní, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por madjè nji plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuen jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe Kombin.
Tue i hjedhë nji sŷ përmbajtjes, të pasqyrueme në 20 vjetët e jetës së tij, kemi me pasë nji shembëlltyrë të larmisë së shkrimeve, studimeve e bashkëpunimeve të ndryshme që mbushin faqet e kësaj reviste.
Prej veprimtarisë botuese shumëvjeçare mendojmë se duhen qitë në pah jo aq arsyet dhe argumentat që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtê flet mjaft kjartë me shkrimet që përmban, por mâ fort shkaqet që sollën bukur mirë dý herë pezullimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e nji antikulturësie të posaçme e të skajshme. |